Programi i Trashëgimisë: Të qënit Shqiptar

Shtjellim i Programit të Trashëgimisë: Çfarë na bën Shqiptarë?

Në një orë mësimi të gjuhës Shqipe, une zgjodha temën “Jemi Shqiptarë”. Filluam natyrshëm një bashkëbisedim ku secili nga ne jepte mendime dhe ide rreth identitetit tonë kombëtar, të qenit Shqiptar, cilësite dhe virtytet e popullit tonë, trashëgimisë sonë kulturore që është diçka që më takon mua, ty, juve, neve. Është diçka vetëm e jona, dhe e askujt tjetër. Është diçka që flet Shqip, që ne e ruajmë me fanatizëm. Është diçka që na dallon nga të tjerët. Është diçka që e kemi në mendje dhe në shpirt. Është diçka që e marrim me vete kudo që shkojmë dhe pa e kuptuar, fare natyrshëm e tregojmë, e demonstrojmë, e përdorim edhe kur jetojmë në mërgim, si për shembull, gjuhën tonë Shqipe, që është aq e vjetër, sa edhe prejardhja jonë Ilire. Gjuhën me dialektet e bukura që identifikojnë zonat nga vijmë. Gjuhën me shkronjat Shqipe, për të cilën kanë sakrifikuar atdhetarë, patriot dhe mësues, që ajo mos të shuhet kurrë, kur një thënie e mençur e popullit tonë thotë:

“Kur ti nuk ruan gjuhen tënde, mos prit që të tjerët ta ruajne atë. Një komb po humbi gjuhën, zakonet dhe traditat, ai do të shuhet.”

Fjalët e urta, të mençura të popullit tonë, të cilat janë transmetuar gojë më gojë, brezë pas brezi, duke ardhur në ditet tona, janë një pasuri e jona, gjithashtu.

Flamuri ynë kombëtar. Kuq e zi, me shqiponjën dykrenare, simboli i kombit tonë, i cili është larë me gjakun e Shqiptarëve në luftrat për liri dhe për shekuj me rradhë. Himni kombëtar që na shoqëron në festa të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Veshjet popullore, thesari i trashëgimisë sonë kulturore që jo vetëm ne Shqiptarët por edhe të huajt mahniten, ku çdo krahinë e Shqipërise ka veshjet e tyre të burrave dhe të grave. Veshjet të cilat mjeshtrat i krijonin me duart e tyre te arta, modelet, prerjet, materialet, ngjyrat dhe detajet janë veçoritë e një treve të caktuar. Tradiat dhe zakonet janë ato që na dallojnë ne si Shqiptarë, dhe ne mundohemi ti praktikojmë edhe në vendin ku jetojmë. Ushqimet, gatimet tradicionale, ato të gjysheve, nënave tona, të cilat i gatuanin me aq shije, duke përballuar njëkohësisht edhe jetesën e familjeve te tyre, janë gjithashtu një tipar dallues i yni. Janë përsëri duart e nënave dhe grave heroina që mblidhnin nëpër male bimët mjekësore, me të cilat shëronin plagët për luftëtarët, plagët e trupit dhe të shpirtit. Puna e dorës, zejtarët, artizanët dhe artizanet që qepnin kostumet popullore, velenxat dhe qilimat që me ngjyrat e larmishme vezullonin në odat e miqve.

Muzika dhe vallet Shqiptare që janë shoqëruar me vegla muzikore si çiftelia, lahuta, sharkia, tupani dhe fyelli e kanë shoqëruar shpirtin Shqiptar ne momente të bukura dhe të vështira, ku në dhomë vareshin në murë pranë njëra-tjetrës pushka dhe çiftelia.

"Sepse edhe zemrave të luftëtarëve duhej t'i këndohej dhe ato duhej të këndonin" - thonin të vjetrit.

Young Girl in National Costumes

Ninullat Shqiptare ku nënat vinin fëmijet në gjumë, duke i përkundur në djep dhe duke i uruar me këngë që fëmijët e tyre e bëhen të mbarë dhe trima. Polifonia labe është pjesë e trashegimisë sonë kulturore dhe vlerësuar si pasuri e UNESCO-s gjithashtu, ku zëri i shpirtit buçet në shkrepat ku jetojnë shqiponjat. Pamja fizike është një tjetër tipar dallues i yni, ku siç thotë edhe poeti i shquar Pashko Vasa, Shqipëria ka vajza të bukura dhe djem të mirë. Natyra jonë miqësore na dallon ne si Shqiptarë gjithashtu.

Natyra e bukur, me klime të mrekullueshme, me male, dete, lumenj, liqene, me plazhet e bukura, me tokën e pasur me minerale të shumëllojshme, zonat arkeologjike që tregojne se sa të lashtë jemi ne. Kalatë e ndërtuara me shumë stil, ku fshihen legjenda, gojëdhena dhe histori; të cilat aq të bukura sa ishin, aq të frikshme kanë qenë për armiqtë. Qytetet si Berati dhe Gjirokastra: shtëpitë karakteristike të ndërtuara me gurë nga mjeshtrat Shqiptare, janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Harmonia fetare është një vlerë e shtuar e kombit tonë dhe ne shquhemi për këtë atribut, të cilën na e ka zili edhe bota. Figurat historike si Skendërbeu, Nënë Tereza, Ismail Qemali, atdhetarë dhe patriote, heronj dhe dëshmorë, janë pjesë e lavdishme e kombit tonë.

Bujaria, mikëpritja, natyra jonë miqësore, mbajtja e fjalës së dhënë, janë virtytet e Shqiptarëve gjithashtu, ku të parët thonin: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, ku me bukë. kripë e zemër, prisnin dhe përcillnin miqtë. Solidariteti është një virtyt tjetër i yni. Këtë e kemi treguar në momentet më të vështira, si në rastin e tërmetit, të 26 Nëntorit 2019, ku Shqiptarët u bënë bashkë për t’ju gjendur pranë njëri tjetrit në ditët më të vështira.

Shikoni sa shumë gjëra të mira kemi ne për tu mburrur, të cilat i kemi kaluar brez pas brezi, si pjesë e trashegimise sonë të kulturës dhe shpirtit, duke na bërë krenar që jemi Shqiptar.

Evis Suka

Partnerët tanë

Regjistrohuni në gazetën tonë të postës elektronike për të marrë azhurnime të rregullta rreth Programit Shpresa